Kosovë, Prishtinë, 24 prill 2017
- IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, do të ofrojë një kredi prej 2 milion euro për Institucionin e Kreditimit Rural të Kosovës, Sh.p.k. (KRK) për të shtuar kreditimin për fermerët, sipërmarrësit rural, dhe bizneset e tjera të vogla në Kosovë, duke mundësuar zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës.
Kjo është kredia e dytë që IFC i jep KRK-së, ku kredia e parë prej 1.5 milionë euro u përmbyll në vitin 2015. Financimi i mesëm dhe afatgjatë vazhdon të jetë në nivel të ulët në Kosovë edhe pse është kyç për zhvillimin e sektorit privat në vend. Kjo është veçanërisht e dukshme në sektorin e bujqësisë, ku fermerët dhe agrobizneset e vogla shpesh përballen me vështirësi në përpjekjet e tyre për të siguruar fonde nga bankat tradicionale komerciale.
“IFC-ja na mbështet në rritjen e dhënies së kredive në zonat rurale dhe në zhvillimin e bujqësisë në Kosovë”, tha Lulzim Sadrija, Kryeshef Ekzekutiv në KRK. "Pjesa kryesore e portofolit tonë përbëhet nga kreditë e dhëna për individë për financimin e bizneseve të vogla e mikro, si në bujqësi apo kultivimin e kafshëve."
Bujqësia përfaqëson rreth 14 për qind të PBB-së në Kosovë dhe punëson rreth 20 për qind të popullatës. Meqënëse portofoli i KRK-së fokusohet në bujqësinë primare dhe në përpunimin bujqësor në Kosovë - me mbi 50% të kredive dhe 60% të klientëve - kredia e re e IFC-së do nxisë një zhvillim të mëtejshëm të sektorit të bujqësisë në Kosovë.
"Duke ofruar këtë kredi të dytë për KRK-në, ne jo vetëm që mbështesim prodhuesit bujqësor vendas, por gjithashtu dëshmojmë besimin tonë për KRK-në dhe në përgjithësi për sektorin mikrofinanciar në Kosovë" tha Thomas Lubeck, Drejtori Rajonal i IFC-së për Ballkanin Perëndimor. "Institucionet mikrofinanciare si KRK-ja janë esenciale për zhvillim rural dhe punësim."
Kosova u bë anëtare dhe aksionare e IFC-së në vitin 2009. Që nga ajo kohë, investimet afatgjate të IFC-së arrijnë në 391.4 milion dollarë, duke i përfshirë fondet e mobilizuara nga partnerët tanë, në 5 projekte që shtrihen në disa sektorë. Përveç kësaj, IFC-ja ka mbështetur shkëmbimet tregtare prej 4.8 milionë dollarësh përmes programit të saj të financimit të tregtisë. Portfoli ynë i investimeve angazhuar për Kosovën më 30 qershor 2016, është 9.1 milion dollarë. Në vitin financiar 2016, IFC-ja ka investuar në Kosovë 2 milion euro.
Për IFC-në
IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh për zhvillim global që fokusohet në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Duke punuar me mbi 2000 biznese në mbarë botën, ne shfrytëzojmë kapitalin, ekspertizën, dhe ndikimin tonë, për të krijuar mundësinë aty ku më së shumti nevojitet. Në vitin fiskal 2016, investimet tona afatgjate në vendet në zhvillim u rritën në afro 19 miliardë dollarë, duke ndihmuar sektorin privat që të luajë rolin kryesor në përpjekjen globale për të çrrënjosur varfërinë e skajshme dhe për të rritur përparimin e përbashkët. Për më shumë informata, vizitoni
www.ifc.org
.
Na kontaktoni