Share this page

IFC emëron Menaxherin e ri Rajonal për Evropën Qendrore dhe Juglindore

Stamboll, Turqi, 27 gusht 2020 —Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka emëruar Ary Naïm në pozicionin e Menaxherit Rajonal për Evropën Qendrore dhe Juglindore, me bazë në Beograd, i cili do të mbikëqyrë aktivitetet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Slloveni, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Poloni, Rumani dhe Serbi.
Në këtë pozicion Ary Naïm ka zëvendësuar Thomas Lubeck, i cili është emëruar Menaxher për Shërbime Këshilluese në Transaksionet  e Partneritetit Publik-Privat në Azi dhe Paqësor, me bazë në Singapor.
Me kombësi franceze dhe ish-bankier, Ary Naïm ka 17 vjet që punon me IFC-në. Ai ka filluar me IFC-në në Marok në vitin 2003 si Specialist për Akses në Financime, dhe më pas në vitin 2005 u transferua në Uashington si pjesë e Grupit të Institucioneve Financiare të IFC-së, ku kontribuoi aktivisht në lidershipin global të IFC-së për Shërbime Bankare dhe Lizing për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme. Në vitin 2010 ai mori rolin e Shefit të Vendit të IFC-së në Republikën Dominikane dhe në Haiti ku ai drejtoi përpjekjet e IFC-së për rindërtim pas tërmetit të atij viti,  si dhe solli inovacion në investime, këshillime, dhe iniciativa financiare në të dyja vendet. Në gjashtë vitet e fundit, Ary Naïm ka qenë Menaxher i Vendit për IFC-në në Meksikë, ku ka mbikëqyrur një rritje dinamike të konsiderueshme të angazhimeve vjetore të IFC-së në sektorë të ndryshëm duke krijuar një emër të fortë për IFC-në në vend. Ary Naim është inxhinier i Shkencave Kompjuterike, me diplomë Master në Inteligjencën Artificiale.
Gjatë njoftimit për emërimin e tij, Wiebke Schloemer, Drejtore e IFC-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, tha: "Ary sjell me vete përvoja globale në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Nëpërmjet lidershipit të tij, ne presim të vazhdojmë së ndërtuari suksesin në rajon, t'u shërbejmë klientëve tanë, dhe të krijojmë tregje e mundësi të reja aty ku ato nevojiten më së shumti.”
"Kur të nisin daljen graduale nga kriza aktuale e pandemisë COVID-19, e cila ka sjellë kufizime serioze në financat publike, vendet duhet të ristartojnë ekonomitë e tyre dhe të rikrijojnë vendet e humbura të punës. Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e rëndësishme futja e investimeve të reja private,” tha Ary Naïm. "Lajm i mirë është se vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore janë të mirëpozicionuara për të përfituar nga ekonomia digjitale, nga rajonalizimi i zinxhirëve kryesorë të vlerave globale, dhe nga nevoja për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës që të shkojnë përpara. Për të arritur këtë, rajoni duhet të përmirësojë mjedisin për biznes, të krijojë partneritete të reja publike-private, të pranojë ndryshimet teknologjike, dhe të krijojë tregje të reja. IFC-ja zotohet dhe ka një pozicion unik për të ndihmuar qeveritë dhe bizneset në këtë rrugëtim.”
Në janar të vitit 2020, portofoli i investimeve të IFC-së të bëra në Evropën Qendrore dhe Juglindore ishte 2.6 miliardë USD në një sërë sektorësh, përfshirë tregje financiare, infrastrukturë, teknologji të informacionit dhe komunikimit, prodhimtari, shërbime dhe arsim. Kjo shifër përfshin 575 milionë USD të mobilizuara nga institucionet partnere.
Rreth IFC-së
IFC-ja është organizatë simotër e Bankës Botërore dhe anëtare e Grupit të Bankës Botërore — është institucioni më i madh i zhvillimit global i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në mbi 100 vende në mbarë botën, duke e shfrytëzuar kapitalin, ekspertizën, dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2019, ne investuam më shumë se 19 miliard USD në financimin afatgjatë për vendet në zhvillim, duke e shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të rritur prosperitetin e përbashkët. Për më shumë informacion, vizitoni  ww.ifc.org.
Na ndiqni: